Fransua Vilon

"TESTAMENTI I MADH"

Kushtuar Skënderit 

 

Ballada e Fatit 

Fransua, më thanë njerëz të përmendur

Se kundër meje, Fatit, çirre ti.

Më quan ti mua një vrasës krejt pa zemër.

Por hesht më mirë, struku në shtëpi!

Ti, varfanjak, të shesësh trimëri?

Surrati yt i keq guzon ankohet?

Kujton se vetëm ti kështu më akrrohe?

Pa sill ndër mend se ç’bën duart e mia,

Sa burra trima mori perrupia!

Me ta, o krimb, ti veten krahason?

Pusho, mos bëj si gratë e këqia,

Dëgjomë mua, mos u rropat, Vilon.

 

Jam sulur kundër mbretërish me emër

Ç’prej kohësh që krejt u harruan tani!

Aspak nuk vlejtën kullat me bedenër,

Kur vrava Priamin bashkë me ushtri.

Po Hanibali vdekur a nuk u shtri?

Ti Kartagjenën s’e pe si rrënohet?

Po Skipion Afrikanin si rrëzohet?

S’vdiq Jul Qezari prej duarve të mia?

Pompein n’Egjipt s’e vrau kjo lubia?

Në det s’e mbyta mbretin grek Jason?

Romak’ e Romë s’i shkretoi uria?

Dëgjomë mua, mos u rropat, Vilon.

 

Po Aleksandri Madh, ky trim me emër,

Që yjet desh arriu në qiell të zi,

Nuk vdiq prej meje nga helmi në zemër?

Mbret Alfazari nuk u bë mavi

Kur vdiq prej helmit? Vdekjen kam mjeshtri!

Kalojnë shekujt dhe ajo s’ndryshohet,

Pa të misioni im s’mund të kuptohet.

Pa kokë s’mbeti Holofern mavria?

Ja preu Judithi. Joshur nga magjia

As thikën ai nuk ndjeu, sikundër thonë.

Dëgjomë mua, mos u rropat, Vilon.

 

Prandaj, Fransua, mba vesh se ç’po të them:

Mos të kish zot parajsa, në xhenem

Ty, leckaman, të çoja, e kupton?

Të liqtë shumëfish Fati i shpërblen,

Dëgjomë mua, mos u rropat, Vilon.

 

Back to Top

 


Fransua Vilon — "Testamenti i Madh" - Fragmente — Shqipëroi Çezar Kurti.

Copyright©1999 by Translator.